Albanica Albanian Academic Journals
Not a member yet
4474 research outputs found
Sort by
Çështja e Çamerisë në Konferencën e Ambasadorëve në Londër 1912-1913
Konferenca që filloi seancat më 17 dhjetor 1912 nën kryesimin e Ministrit të Jashtëm anglez Edward Grey, u zhvillua në rrethana shumë të ndërlikuara për rajonin dhe Evropën në përgjithësi. Delegacioni shqiptar i paraqiti konferencës një memorandum me kërkesa territoriale, duke kërkuar një shtet shqiptar brenda kufijve të tij etnikë. Që në ditët e para, konferenca u mor me rishikimin e çështjes shqiptare dhe aspektin e saj kryesor, caktimin e kufijve. Vendet fqinje, përfshirë Greqinë, paraqitën pretendimet e tyre. Konferenca e Londrës nuk e pranoi parimin "etnik" të propozuar nga Austro-Hungaria. Megjithëse Çamëria kishte një popullsi me shumicë shqiptare, ajo mbeti nën sundimin grek me vendim të konferencës. Kjo ishte një ngjarje tragjike, kryesisht për vetë popullsinë e Çamërisë. Konferenca la jashtë Shqipërisë të gjithë Çamërinë me klimën e saj të këndshme, kodrat me vreshta dhe ullishtat si dhe burime të tjera natyrore që mund të konsideroheshin si parajsë e tokave etnike shqiptare
Luftërat ballkanike (1912-1913) në këndvështrimin e historiografisë shqiptare (1945-1990)
Luftërat Ballkanike (1912-1913), të cilësuara si nga ngjarjet më tragjike për fatet e popujve të Ballkanit, mbartin njëkohësisht peshën e madhe historike të konfigurimit të mëtejshëm të marrëdhënieve ndërfqinjësore në gadishullin e ashtuquajtur “fuçi baruti”. Sfondi historik i ngjarjeve në kompleksitetin e veprimtarisë politike, diplomatike e militare të faktorit të brendshëm, konflikteve të armatosura midis shteteve ballkanike dhe influencës së aktorëve ndërkombëtarë në favor të stabilitetit dhe paqes në rajon, jo vetëm u përjetësuan në memorien historike të popujve të Ballkanit, por u dalluan edhe për specifikën e tyre në fondin e pasur të terminologjisë diplomatike.Luftërave Ballkanike i kushtoi vëmendje të veçantë mendimi historiografik shqiptar i periudhës komuniste (1945-1990), që, në dritën e fakteve të reja dhe argumenteve shkencore, analizoi në rend kronologjik vendin dhe rolin e faktorit shqiptar në procesin historik ballkanik të viteve 1912-1913
Historia e së drejtës penale mesdhetare midis mitit e shkencës dhe paralelet me të drejtën zakonore shqiptare
E drejta penale modeme edhe pse ka arritur në nivele tepër të larta shkencore gjen rrënjët e saj në të kaluarën. Kjo e fundit ka një rëndësi themelore pasi vetëm njohja e saj bën të mundur kuptimin e të tashmes. E drejta e njerëzimit lind dhe zhvillohet në tre topoive kryesore të cilët janë: Izraeli, Greqia dhe Roma. Nga analiza e këtyre Topoi mund të nxjerrim një sërë parimesh bazë të së drejtës penale modeme. Mjafton të kujtojmë se e drejta penale në Izrael - e cila lindi në baza biblike, dokumentale - edhe pse bazohet në parimin se ligji i Zotit është i pandryshueshëm, zhvillohet nën idenë se ligji duhet të interpretohet që të aplikohet. Lind figura e administrimit të drejtësisë, lind interpretimi i ligjit. Në mitologjinë greke, në mitin e Antigonesë fillojnë të duken gjurmët e idesë se ligji i shkruar sundon mbi ligjin e pa shkruar. Gjithashtu në mitin e Orestit,i cili pasi hakmerr të jatin, Aganemnoni, do të dalë i pafajshëm nga gjykimi penal, pasi votat e jurisë do të jenë të barabarta, fillon të afirmohet ideja se në prani të dyshimit i pandehuri lërohet: lind parimi latin “in dubio pro reo” që cenon parimin e prezymimit të pafajësisë. Në Romën e lashtë do të arrihet një nivel juridik tepër i lartë ku do të fillojë të afirmohet parimi i legalitetit dhe i ndarjes së pushteteve.Në përfundim, shumë nga parimet bazë të të drejtës penale modeme, të afirmuar nga Bekaria e më pas, gjenden edhe në antikitet dhe kjo për faktin se kultura e Mesdheut është një kulturë homogjene. Në këtë shkrim, do të parashtrohen një sërë ngjarjesh historike/mitologjike në perspektivën e gjendjes së një filli të kuq dhe të vazhduar midis së kaluarës dhe të tashmes. Do të sillen disa elementë vazhdimësie midis së drejtës penale të afirmuar në modelet në fjalë dhe të drejtës penale zakonore shqiptare
Prezantimi i historisë mesjetare shqiptare në Revistën Kosova
Punimet e botuara në revistën shkencore KOSOVA që i kushtohen mesjetës shqiptare janë prezantuar brenda pesë rubrikave. Në rubrikën e parë e cila përfshin artikujt shkencorë janë botuar 22 punime, në të dytën kritikë historiografike është botuar 1 punim, në rubrikën e tretë e cila përfshinë kontribute janë botuar 2 punime, në rubrikën e katërt që përfshin kumtesa materiale është botuar 1 punim, dhe së fundi në rubrikën e recensioneve janë botuar 5 recensione.Problematikat e trajtuara në këtë revistë janë të larmishme, trajtohen tema kushtuar ngjarjeve e personaliteteve më të lavdishme të historisë sonë, në këtë aspekt një pjesë e madhe e punimeve i kushtohet periudhës së Gjergj Kastriotit -Skënderbeut, si dhe rezistencës së popullit shqiptar gjatë sundimit turk. Po ashtu vend të veçantë zënë edhe punimet si nga fusha e religjionit, pastaj ato kushtuar migrimit të popullsisë në territorin e sotëm të Kosovës gjatë mesjetës, Kosovës gjatë feudalizmit të zhvilluar, Kosova sipas kronikave dhe historive të moçme të Raguzës etj
Punëtoritë gurskalitëse në trevën e Dardanisë gjatë periudhës romake
Në mesin e monumenteve të kulturës materiale dhe shqirtërore nga koha e sundimit romak në trevën e Dardanisë një vend me rëndësi zënë ato të plastikës së gurit, të cilat jo vetëm që pasqyrojnë nivelin e zhvillimit të artit skulpturor, në veçanti, dhe të veprimtarisë kulturore-artistike, në përgjithësi, por edhe të gjendjes ekonomike dhe shoqërore. Pjesën më të madhe të tyre e përbëjnë ato të dy tematikave primare: sepulkrale (mbivarrore) dhe të kultit, të cilat janë të shumta, në çka edhe studimi ynë është bazuar. I gjithë ky repertor i këtyre monumenteve, pjesa dërrmuese e të ci lave i takon prodhimit lokal, flet për praninë e punëtorive gurskalitëse gjatë kësaj kohe në këtë trevë, numri i të cilave duhet të jetë bukur i madh. Mirëpo, lokalizimi i tyre paraqet një punë të vështirë, prandaj edhe nuk është e mundur që të jepet fjala përfundimtare. Kështu, në bazë të analizës së përgjithshme të këtyre monumenteve, do të mundohemi që t’i lokalizojmë dhe të përcaktojmë fizionominë e pjesës më të madhe të këtyre atelieve, të cilat nuk kanë qenë të pranishme vetëm në qendrat e njohura urbane por edhe në vende më të vogla
Copëtimi i trevave etnike shqiptare në Jugosllavi: Aneksimi i Kosovës nga Serbia (1945)
Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, Kosova e trevat e tjera etnike shqiptare në Jugosllavi jo vetëm që u penguan të bashkoheshin me Shqipërinë, në bazë të vendimeve të Konferencës së Bujanit, por edhe u ndanë në 4 njësi të Federatës jugosllave: në atë të Kosovës, të Maqedonisë, të Serbisë dhe të Malit të Zi. Pas kësaj kohe, në organet qendrore shtetërore e partiake të Jugosllavisë u diskutua vetëm për problemin e Kosovës, e cila doli nga lufta si subjekt politik i barabartë me të gjitha njësitë e Federatës jugosllave. Aneksimi i Kosovës dhe i trevave të tjera shqiptare në kuadrin e Jugosllavisë u përgatit qysh gjatë përpjekjeve që u bënë për realizimin e marrëveshjes midis Këshillit Antifashist të Çlirimit Kombëtar të Jugosllavisë (KAÇKJ) dhe Qeverisë mbretërore jugosllave në emigracion. Bisedimet ndërmjet tyre që u konkretizuan me ’’Marrëveshjen Tito[1]Shubashiq” (16.VI. 1944), u zhvilluan në bazë të vendimeve të Konferencës së Moskës, të Teheranit dhe të Jaltës, të cilat shprehën interesat e Fuqive të Mëdha për ndaijen e sferave të interesave në Ballkan, duke përfshirë edhe Jugosllavinë
Masakrat serbe në Preshevë e rrethinë gjatë Luftës së Dytë Botërore
Për gjenocidin e kryer kundër shqiptarëve të Kosovës gjatë Luftës së Dytë Botërore, studimet historike ishin të pakta. Vetëm në vitet e fundit janë bërë përpjekje për një trajtim adekuat të kësaj çështjeje. Në të vërtetë, ky problem është trajtuar në mënyrë të njëanshme dhe tendencioze nga historianë dhe pseudo-historianë, publicistë, gazetarë dhe politikanë, ose është mbajtur tërësisht në heshtje si rezultat i një censure dhe vetëcensure dominuese. Aktet gjenocidale partizano-çetnike në Karadak, si në të gjithë Kosovën, filluan në shtator 1944 dhe vazhduan deri në mesin e vitit 1945. Nuk ka mbetur fshat apo lagje në Karadak, ashtu si në të gjithë Kosovën, ku nuk kanë ndodhur keqtrajtime dhe masakra gjatë asaj periudhe të kryera nga këta "çlirimtarë". Më të dalluarit në këtë fushatë kriminale ishin veçanërisht Brigada e 8-të e Preshevës, Brigada e 7-të e Bujanocit, Njësia Partizane e Shkupit, Brigada e 14-të, Brigada e 17-të dhe e 18-të Maqedonase, Brigada e Bokës, Brigada e Pirotit, disa njësi të brigadave partizane të Kosovës, etj. Në emër të sloganit "vëllazërim-bashkim", forcat e mëparshme çetnike u bashkuan me brigadat partizane me urdhër për të vrarë sa më shumë shqiptarë që të mundnin
Marenglen VERLI: “Kosova në fokusin e historisë”. Vëll. 2, “BOTIMPEX”, Tiranë, 2002, 320 f.
Këto ditë kemi marrë nëpër duar vëllimin e dytë të Prof. dr. Marenglen Verlit “Kosova në fokusin e historisë”, publikuar nën kujdesin e shtëpisë botuese “Botimpex”. Ashtu si në vëllimin e parë, edhe në këtë të dytin autori ka përmbledhur disa punime të tij që trajtojnë ngjarje të ndryshme nga historia e Kosovës. Në këtë vëllim të dytë prej mëse 300 faqesh trajtesat janë që nga koha e Luftës së Dytë Botërore e vijojnë deri në ditët e sotme. Janë studime që prekin të gjitha aspektet e jetës së popullit shqiptar të Kosovës, në radhë të parë jetën politike, si dhe atë ekonomike, kulturore dhe shoqërore. Lexuesi ka kështu në dorë një pasqyrë gjithëpërfshirëse të ngjarjeve që kanë ndodhur në Kosovë dhe për Kosovën gjatë këtyre 6 dhjetëvjeçarëve të fundit, domethënë periudhë të ngjeshur me shumë ngjarje, sa në rrafshin e brendshëm po aq edhe në atë ndërkombëtar. Këto ngjarje janë përshkruar nga pena e një autori jo të ditës dhe jo dosido, por e një studiuesi serioz që ka një jetë të tërë që merret me historinë sa të dhimbshme dhe tragjike aq edhe heroike të popullsisë së Kosovës. Prof. M. Verli ka tanimë 25 vjet që trajton këtë temë historike duke ndjekur, ndërkohë, edhe zhvillimet bashkëkohore, dhe mund të themi se autori i librit është rritur dhe është pjekur me historinë e Kosovës